Përfaqësuesit e industrisë së manifakturës kanë vijuar turin e bisedimeve në qarqe, duke i kërkuar zyrtarisht ekzekutivit miratimin e gjashtë masave lehtësuese për Paketën Fiskale 2027.
Kryetari i Shoqatës së Manifakturës Shqiptare, Florian Zekja, bëri të ditur se qëllimi i bashkëbisedimit me sipërmarrjet në Librazhd, Gramsh, Peqin, Cërrik dhe Elbasan ishte harmonizimi i kërkesave për t'ia paraqitur qeverisë. Gjatë takimeve u vunë në dukje sfidat e shumta që po kalon kjo industri, ku përfshihen mungesa e krahut të punës, detyrimet doganore, administrimi i granteve dhe vështirësitë në investime.
“Ne kemi kaluar nga 65 mijë të punësuar në sektor në rreth 40 mijë të punësuar. Pra, janë shkurtuar 25 mijë vende pune. Edhe vlera e eksporteve është në rënie. Nga 1.4 mld euro që ishte vlera e eksporteve në vitin 2023, ka arritur në 960 mln euro. Po ashtu, edhe pesha e sektorit në eksporte, që përbënte 40% të totalit, është në rënie. Muajt e fundit jemi pozicionuar në vendin e dytë për peshën e eksporteve, pas grupit të mineraleve.”, u shpreh Zekja, duke shtuar se synohet kalimi nga modeli me material porositësi drejt një cikli të mbyllur prodhimi.
Sipërmarrësit vendas, përfshirë Elton Mirakën nga Gramshi me një përvojë 20-vjeçare, theksuan se zhvlerësimi i monedhës euro dhe mungesa e punonjësve mbeten pengesat kryesore.
“Për ne është e nevojshme të ndihmohemi me grante nga shteti për blerjen e makinerive, me qëllim zhvillimin teknologjik të prodhimit dhe për ta çuar industrinë përpara.”, deklaroi Miraka.
Nga ana e tij, përfaqësuesi i një fasonerie tjetër, Agron Hyseni, theksoi se rënia e euros ka prekur ndjeshëm aftësinë financiare të bizneseve për të realizuar projekte të reja zhvillimi.
“Si mund të kërkohet të hyjmë në BE, kur zhvlerësimi i euros ka arritur deri në 30% dhe vlera e faturimeve të eksporteve është ulur? Ne kërkojmë të investojmë, por nevojitet mbështetje. Është e pamundur që investimi të bëhet vetëm nga biznesi”, shtoi ai.
Ndërkohë, drejtuesja e një njësie prodhuese në Gostim të Cërrikut, Migena Ukthaci, kërkoi vëmendje të veçantë për rishikimin e taksimit të pagave të punonjësve.
Paketa e propozuar nga Shoqata e Manifakturës Shqiptare përfshin uljen e kostove të punës, rishikimin e tarifave doganore për lëndët e para, përjashtimin nga tatimfitimi të fitimeve të riinvestuara dhe vendosjen e një skeme grantesh për automatizimin.
