Në ditën e shtatë të protestës së studentëve, kreu i qeverisë Edi Rama preferoi të lëshojë sërish akuza ndaj televizionit News24 për shkak të mbulimit mediatik që po i bën këtij tubimi, në vend që t'i japë përgjigje revoltës qytetare.
Televizioni i është kundërpërgjigjur kryeministrit, duke sjellë në vëmendje ngjarjet e 21 janarit 2011, ku po të njëjtat kamera transmetuan drejtpërdrejt protestën e udhëhequr prej tij kur ishte në krye të opozitës. Në reagim theksohet se misioni gazetaresk nuk ka ndryshuar, por ajo që ka ndryshuar është vetëm pozicioni i tij përballë tyre.
News24 kujton se gjatë 21 janarit pamjet e transmetuara shërbyen si dokumentim i ngjarjeve, përfshirë edhe vrasjet e protestuesve, të cilat vetë Rama i ka përdorur në betejat politike të asaj kohe. Media shpreh habi për sulmet e përsëritura ndaj saj për pasqyrimin e protestave aktuale, ndërsa thekson se puna e saj konsiston te dokumentimi i realitetit pavarësisht se kujt i shkakton shqetësim.
Në përfundim, televizioni garanton se do të vijojë të ushtrojë gazetari pa dallim se kush proteston apo qeveris, duke i lënë kryeministrit përgjegjësinë për të treguar nëse pranon apo jo ushtrimin e këtij funksioni pa ushtruar presion e intimidim.