Kreu i ekzekutivit, Edi Rama, ka bërë të publike se gjatë tubimeve të fundit është bërë i mundur neutralizimi i një mjeti fluturues pa pilot me lëndë plasëse, që kishte për synim goditjen e Kryeministrisë.
Sipas shefit të qeverisë, protestat nuk pasqyrojnë thjesht pakënaqësinë e të rinjve, por orkestrohen nga faktorë të tjerë. Ai theksoi se studentët dhe rinia, ndonëse të indinjuar dhe kërkues të ndryshimit, janë shndërruar në pengje të një grupi që ai e quajti “grupi i zjarrit”. Gjithashtu, kryeministri përmendi se personat e maskuar në bulevard shfrytëzojnë të miturit si mburoja gjatë incidenteve.
“Rinia dhe studentët janë të frustruar dhe të inatosur, duan ndryshim dhe është në natyrën e qënies së tyre, por me keqardhje them se kjo rini dhe këta studentë që janë në bulevard janë pengje të grupit të zjarrit në krye. Atyre me maska, ku përdoren gjerësisht edhe të miturit, si mburoja për të përparuar,” u shpreh ai.
Duke iu referuar ngjarjes së rëndë, Rama shtoi: “Para 2 ditësh është neutralizuar një dron me eksploziv i destinuar të godiste Kryeministrinë duke i vënë zjarrin oborrit të brendshëm ku është ngrehina e drurit dhe një Zot e di me çfarë pasojash.”