Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Projektligji i ri për Investimet, BIRN: Mbeten të njëjtat privilegje për të afërmit e pushtetit

Projektligji i ri për Investimet shfuqizon ligjin kontrovers të investimeve strategjike, por kritikohet se ruan thelbin e mekanizmave për përfitimet publike, ndërsa sjell konkurrencën për tokën shtetërore.

Dhjetë vjet pas miratimit të ligjit për Investimet Strategjike, qeveria ka propozuar një kornizë të re që bashkon në një akt të vetëm trajtimin e nismave vendase dhe të huaja, duke mbajtur megjithatë instrumentet e mëparshme. Drafti, i hedhur për konsultim publik, shfuqizon ligjin e vitit 2015 për investimet strategjike dhe atë të vitit 1993 për investimet e huaja, por lejon sërish mbështetjen e projekteve private me prona publike, infrastrukturë dhe lehtësi administrative.

Ndërkohë, në relacionin e nismës, qeveria pranon se zbatimi i deritanishëm është shoqëruar me problematika, si përqendrimi te turizmi, vonesat, mungesa e transparencës dhe rreziqet fiskale a reputacionale. Edhe pse parashikohen kritere të standardizuara dhe analiza kosto-përfitim, projektligji ruan mekanizmat e mbështetjes shtetërore dhe krijon një strukturë të re të quajtur Komiteti për Nxitjen e Investimeve, e cila do të drejtohet nga ministri i Ekonomisë.

Opozita dhe ekspertët ngrenë shqetësime se ndryshimet janë më shumë formale sesa thelbësore. Për deputeten e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, drafti ruan përfitimet për “miqtë e pushtetit” dhe riorganizon regjimin ekzistues përmes emërtimeve të reja. Ndërsa eksperti i ekonomisë, Eduart Gjokutaj, vlerëson se efektiviteti i reformës do të varet nga integriteti i administrimit të aseteve publike dhe transparenca e procesit.

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)