Avokati Spartak Ngjela ka bërë thirrje për largimin e menjëhershëm të kryeministrit Edi Rama, duke e quajtur atë një domosdoshmëri për vendin. Në një mesazh ku përmend protestat studentore, ai ka paralajmëruar se kreu i ekzekutivit mund të përballet me organet e drejtësisë nëse nuk jep dorëheqjen.
Duke e vënë theksin te situata e tensionuar, Ngjela ngre dilemën: “Shqipëria apo Rama? Dorëheqja e Edi Ramës apo shkatërrimi i Shqipërisë?”. Ai e cilëson lëvizjen e studentëve si një sinjal të fuqishëm për krizën aktuale.
“Dorëheqja e kryeministrit Edi Rama sot është domosdoshmëri historike. Gjendja është shumë e rëndë sot për Shqipërinë. Protesta e rinisë studentore është shumë e fortë”, shprehet ai.
Më tej, avokati shton se shteti ndodhet në rrezik dhe vetëm largimi i kreut të qeverisë mund ta shpëtojë. Në përfundim, ai paralajmëron: “Nëse Edi Rama nuk jep dorëheqjen si kryeministër brenda datës së sotme, përgjegjësia e tij do të jetë shumë e madhe në organet gjyqësore, si çështje me akuzë penale, e ngritur kundër tij në SPAK.”