Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Ndryshimet e papritura të taksave, bizneset e rajonit rrezikojnë largimin e sipërmarrjeve

Klima politike e krijuar nga protestat e studentëve ka shtyrë qeverinë drejt propozimeve të reja tatimore, ku përfshihen ulja e TVSH-së në 6% për produktet ushqimore bazë dhe rritja e taksave për sipërmarrjet.

Gjatë mbledhjes së Këshillit Tatimor, i dërguari i qeverisë pranoi se ky hap u ndërmodh për shkak të zhvillimeve politike dhe kërkesave të aktorëve të ndryshëm, duke e sjellë ndërhyrjen më herët se afati i parashikuar për vitin 2028 dhe para përafrimit me Bashkimin Evropian.

Përfaqësuesi u shpreh: “Nuk kemi pasur ndërmend këtë ndryshim, një pjesë e tyre do të ndodhnin në 2028 , por për shkak të situatës politike që po evulon në vend, dhe kërkesat që kanë paraqitur aktorë të ndryshëm, kemi vendosur që kjo ndërhyrje të bëhet në nivel politik.”

Ai shtoi gjithashtu: “Paketa do të marrë kohën e duhur për konsultime. Rrethanat nuk kanë qenë të zakonshme. Një pjesë e këtyre ndryshimeve do të ndodhnin në një periudhë tjetër, përpara përafrimit të vendit me Bashkimin Evropian, por rrethanat politike kanë bërë që ato të ndërmerren më shpejt.”

Kontabilistët, audituesit dhe dhomat e tregtisë reaguan ashpër kundër rritjes së tatimit mbi fitimin dhe dividentit, duke paralajmëruar një zhvendosje të bizneseve shqiptare drejt shteteve të tjera të rajonit.

Përfaqësuesi i biznesit deklaroi: “Rritja e tatimit mbi dividendin dhe tatimit mbi fitimin e korporatave rrezikon ta bëjë Shqipërinë vendin me normat më të larta të taksimit në rajon. Kompanitë e huaja, kur shqyrtojnë mundësitë për të investuar, analizojnë edhe nivelin e taksave. Me rritjen e këtyre normave, Shqipëria rrezikon të dalë jashtë vëmendjes së investitorëve, ndërsa bizneset e vendeve të tjera të rajonit do të fitojnë avantazh konkurrues ndaj bizneseve shqiptare.”

Ai paralajmëroi më tej: “Rritja e taksave për TVSH-së, dividendin dhe tatimin mbi fitimin, në total një rritje prej 10% rrezikon të ndikojë në rritjen e çmimeve të produkteve dhe ta bëjë Shqipërinë më pak tërheqëse për investimet. Rritja e këtyre taksave pritet të sjellë një eksod të bizneseve shqiptare drejt vendeve të tjera të rajonit.”

Ekspertët shprehën skepticizëm se ulja e TVSH-së do të ulë çmimet, duke përmendur se zhvlerësimi i euros prej 30% nuk u reflektua më parë në treg.

Një kontabilist u shpreh: “Ulja e TVSH-së mund të sjellë uljen e çmimeve, por pyetja që shtrohet është nëse ky kursim do t’u kalojë qytetarëve apo do të përthithet nga bizneset përmes rritjes së marzheve të fitimit. Zhvlerësimi i euros ka arritur deri në 30%, por kjo nuk është reflektuar në uljen e çmimeve. Askush nuk është marrë seriozisht me këtë çështje, përfshirë edhe agjencitë e mbrojtjes së konsumatorit dhe të tjera institucione. Tani po ndërhyjmë me një ndryshim ligjor, ndërkohë që nuk kemi pasur mekanizmat e nevojshëm për të kontrolluar rritjen e pakontrolluar të çmimeve. Po ashtu, mungojnë mekanizmat për të garantuar që ulja e TVSH-së që po diskutohet me paketën fskale të reflektohet te konsumatori final. Për këtë arsye, jemi skeptikë se ky ndryshim fiskal do të sjellë realisht uljen e çmimeve të shportës ushqimore.”

Një tjetër kontabilist pohoi: “Rritja e TVSH-së në 21% do të ndikojë drejtpërdrejt te konsumatori, duke sjellë rritje të çmimeve. Ndërsa ulja e TVSH-së nuk garanton uljen e çmimeve, siç ka treguar edhe përvoja e vendeve të ndryshme. Gjithashtu, çështjen e parapagimit të tatimfitimit nga bizneset e konsideroj shumë represive.”

Gjithashtu u shtua: “Jemi të papërgatitur për një paketë të tillë me këtë impakt fiskal. Ulja e pragut të TVSH-së do të sjellë kosto për bizneset dhe i gjen të papërgatitura bizneset e vogla. Kjo është një barrë shtesë për ta dhe përfitimi nuk e justifikon. Duhet t’u lihet më shumë kohë, pasi kjo masë i vendos në vështirësi. Është e pamundur të analizohen plotësisht efektet e paketës, e cila prek si aspektin financiar, ashtu edhe atë social. Është një paketë e ndjeshme dhe koha për konsultim është shumë e shkurtër. Nevojiten më shumë analiza përpara miratimit, duke marrë parasysh edhe strategjinë fiskale të hartuar deri në vitin 2029.”

Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe ajo Zvicerane kundërshtuan gjithashtu nismën, duke kritikuar mungesën e konsultimit dhe rritjen e barrës për sipërmarrjet.

Përfaqësuesja e Dhomës Amerikane u shpreh: “Po mbledhim para nga disa për t’ua dhënë të tjerëve.”

Përfaqësuesi i Dhomës Zvicerane pohoi: “Jemi bombarduar me mesazhe nga bizneset, të tipit: ‘Çfarë është kjo gjë e papritur?’ Po shkatërrohet shtresa e mesme.”

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)