Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka dënuar ashpër aktet e dhunës dhe dëmtimin e pronave gjatë tubimit të fundit, duke theksuar se protestat paqësore janë të mbrojtura me ligj, por dhuna mbetet e pajustifikueshme.
Në një deklaratë publike pas zhvillimeve të fundit në Luksemburg ku vendi ynë shënoi një tjetër hap para drejt Bashkimit Europian, kreu i rendit shprehu keqardhje për çdo të lënduar, përfshirë efektivët, protestuesit dhe përfaqësuesit e mediave. Ai kërkoi maturi dhe ritheksoi se përgjegjësia penale mbetet personale dhe do të vlerësohet rreptësisht në bazë të provave të siguruara.
Gjithashtu, zoti Demo garantoi se strukturat e rendit duhet të veprojnë në përputhje të plotë me rregullat dhe çdo pretendim për tejkalim të autoritetit do të hetohet me paanësi. Sipas tij, sfidat e integrimit kërkojnë institucione që mbrojnë rendin, respektojnë liritë themelore dhe mbajnë përgjegjësi për çdo veprim.