Kompania mëmë e rrjetit evropian të shitjeve të pajisjeve elektronike, MediaMarktSaturn, ka ndalur shitjen e produkteve të markës Ledger si masë paraprake sigurie. Vendimi vjen pas sinjalizimeve se pajisjet e ruajtjes së kriptovalutave mund të kenë qenë objekt i ndërhyrjeve të paautorizuara.
Një zëdhënës i MediaMarktSaturn deklaroi për Cointelegraph se mallrat janë tërhequr nga katalogu i tyre ndërkombëtar në të gjitha shtetet ku operojnë, duke vepruar në këtë mënyrë si hap mbrojtës. Nga ana e saj, kompania Ledger njoftoi se ndërprerja e shitjeve u bë në bashkëpunim të ngushtë me prodhuesin, pasi një klient në Gjermani raportoi praninë e një pajisjeje të instaluar brenda portofolit. Ledger theksoi se deri më tani nuk është regjistruar asnjë humbje fondesh lidhur me këtë rast dhe se sistemet apo shërbimet e tyre nuk rezultojnë të komprometuara.
Shqetësimet rreth sigurisë dolën në pah pasi një përdorues i rrjetit X i quajtur Johannes pohoi se bleu dy portofola Ledger në dy pika të ndryshme të MediaMarkt, të cilat përmbanin kabllo dhe module celulare të paautorizuara. Më herët, Ledger kishte nisur një hetim për shkak të raporteve për humbje financiare të lidhura me pajisjet e shpërndara përmes shitësit rajonal në Azinë Juglindore, CryptoBilis. Sipas kompanisë, modifikimet e paligjshme mundësonin transmetimin e frazave të rikuperimit të përdoruesve nëpërmjet rrjeteve celulare.
Në një zhvillim tjetër, ish-drejtori ekzekutiv i Mt. Gox, Mark Karpelès, pretendoj të martën se një pajisje Ledger Flex e blerë në aeroportin e Singaporit përmbante gjithashtu një element spiunazhi. Si përgjigje, Ledger u orientua te përditësimi i fundit i hetimeve mbi rastin CryptoBilis, pa dhënë një koment të drejtpërdrejtë për ngjarjen e Singaporit.