Ligjvënësit republikanë amerikanë i kanë drejtuar një letër Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, ku shprehin shqetësimin për prapambetjen demokratike në Shqipëri dhe i kërkojnë Departamentit të Shtetit të vendosë kufizime vizash për zyrtarët e korruptuar.
Dokumenti, i hartuar nga kongresmeni Joe Wilson dhe kryetari i Nënkomitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Evropën, Keith Self, i kërkon administratës që t'i japë përgjigje katër pyetjeve thelbësore deri në datën 5 nëntor.
Krahas kërkesës që departamenti të shqyrtojë zyrtarët vendas për kufizim vizash, anëtarët e kongresit kërkuan të dinë se çfarë mbështetjeje po jepet për reformat në drejtësi dhe nëse selia diplomatike amerikane në Tiranë po bashkëpunon për të mbrojtur gazetarët dhe protestuesit.
Përfaqësuesit republikanë kërkojnë gjithashtu “një përditësim mbi ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila u akuzua për ndërhyrje në prokurimin publik për ndërtimin e rrugëve”. “Prokurorët i kërkuan parlamentit në dhjetor 2025 të hiqte imunitetin e saj në mënyrë që ajo të mund të arrestohej, por kryeministri Edi Rama e quajti kërkesën jokushtetuese dhe parlamenti nuk ka lejuar që arrestimi të vazhdojë”.
Sipas ligjvënësve amerikanë, organet kundër korrupsionit në vend nuk kanë mundësi të çrrënjosin paligjshmërinë për sa kohë krerët politikë mbrojnë zyrtarët që janë nën hetim.