Autoritetet policore shqiptare dhe ato greke kanë kurorëzuar me sukses një tjetër operacion të përbashkët të quajtur “The Wanted”, duke kapur në Greqi dy individë të shpallur në kërkim për vrasjen e Rexhep Ismailit, 66 vjeç, ngjarje e regjistruar më 7 maj 2026 në fshatin Gjashtë të Sarandës.
Gjatë ndërhyrjes, janë vënë në pranga përkohësisht me synim ekstradimin Lulëzim Tabaku, 37 vjeç, i akuzuar si ekzekutor i krimit, si dhe Idriz Çelo, 40 vjeç, i dyshuar për përfshirje në përplasjen fizike me mjete të forta që ndodhi para vrasjes. Operacioni u zhvillua falë shkëmbimit të informacioneve dhe bashkëpunimit operacional ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës.
Hetimet tregojnë se më 7 maj, Lulëzim Tabaku qëlloi për vdekje me armë zjarri pistoletë 66-vjeçarin brenda lokalit të tij në fshatin Gjashtë. Krimit i pat paraprirë një konflikt fizik me sende të forta mes disa individësh, ku dyshohet se ka marrë pjesë edhe Idriz Çelo, i kapur në Korfuz.
Për 37-vjeçarin Tabaku, Gjykata e Sarandës ka vendosur masën “Arrest në burg” për akuzat e vrasjes me dashje, armëmbajtjes pa leje dhe kanosjes, të kryera në bashkëpunim. Ndërkohë, për Çelon është caktuar e njëjta masë sigurie për moskallëzim krimi, kanosje dhe shkatërrim prone, ndërsa raportohet se ai përdorte një identitet të rreme në Korfuz. Policia vijon aksionin për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar, ndërsa po kryhen procedurat për sjelljen e dy të ndaluarve në Shqipëri.