Eksportet e mallrave në Shqipëri kanë shënuar një rritje të ndjeshme prej 14,8% gjatë muajit shtator 2026, të nxitura kryesisht nga çmimet e favorshme të naftës në bursa, ndërkohë që sektori i fasonit vijon të përballet me rënie të thellë dhe rrezik falimentimi.
Sipas të dhënave të INSTAT, në shtator 2026 eksportet arritën shifrën 31,2 miliardë lekë, duke u rritur me 14,8% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2025, si dhe me 52,1% krahasuar me gushtin 2026. Ndikimin kryesor pozitiv e dha grupi i mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike me +12,8 pikë përqindje, i ndjekur nga materialet e ndërtimit dhe metalet me +3,4 pikë përqindje, si dhe makineritë e pajisjet me +1,8 pikë përqindje. Nga ana tjetër, ndikim negativ patën tekstilet dhe këpucët me -5,5 pikë përqindje dhe lëkura e artikujt prej saj me -0,2 pikë përqindje.
Për periudhën janar-shtator 2026, eksportet totale ishin 279 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 7,2%. Importet e mallrave në shtator arritën vlerën 78,6 miliardë lekë, në rritje me 4,8% në raport me një vit më parë dhe 4,0% krahasuar me gushtin. Defiçiti tregtar i muajit u regjistrua në 47,3 miliardë lekë, duke shënuar një ulje prej 0,9% në baza vjetore dhe 13,9% në raport me gushtin.
Sektori i fasonit në krizë dhe në prag falimenti
Industria e veshjeve dhe këpucëve ka shënuar muaj të tërë rënie, e cila është thelluar me 16,2% në shtator, pas tkurrjes prej 12,4% në gusht dhe mbi 13% në korrik. Për të gjithë 9-mujorin, eksportet e këtij grupi ishin 71,7 miliardë lekë, me një rënie prej 9%, duke qenë i vetmi grup i madh me tendencë negative.
Florjan Zekja, Kryetar i Shoqatës së Manifakturës, u shpreh se tkurrja me mbi 16% e sektorit përbën një sinjal alarmi dhe se sektori ndodhet në prag falimenti.
“Këtë alarm e kemi ngritur që në fillim të vitit. Shenjat pozitive të ndonjë muaji nuk pasqyronin realitetin e sektorit. Rënia e euros dhe rritja e kostove të prodhimit po dobësojnë konkurrueshmërinë dhe po i nxjerrin prodhuesit shqiptarë jashtë tregut.”
“Po tkurret një sektor që, përveç rëndësisë së madhe sociale, ka qenë edhe një nga lokomotivat kryesore të eksporteve shqiptare.”
“Në një kohë kur vendet europiane, si Italia, Gjermania dhe Britania e Madhe, po riaktivizojnë sektorin fason dhe po nxisin prodhimin vendas për të ulur varësinë nga tregjet e largëta, politikat ekonomike në Shqipëri nuk po i përgjigjen alarmit për falimentimin e prodhimit vendas.”
“Kjo është veçanërisht shqetësuese kur duhet të përgatitemi dhe të transformohemi për t’u bërë pjesë e tregut të përbashkët evropian. Pa masa të menjëhershme, duke nisur me Paketën Fiskale 2027, pasojat mund të jenë të pariparueshme dhe të rrezikojnë ekzistencën e prodhuesve dhe eksportuesve shqiptarë në të ardhmen e afërt”
Edvin Prençe, Kryetar i ProEksport Albania, deklaroi se rënia e fasonit dëshmon humbjen e kapacitetit prodhues dhe konkurrueshmërisë së vendit.
“Nuk mjafton të flasim për rritje eksportesh kur industria që punëson, prodhon dhe sjell valutë po tkurret. Kjo kërkon ndërhyrje të menjëhershme, politika industriale, mbështetje për investime, teknologji dhe kalim në prodhim me vlerë të shtuar. Nëse humbasim fabrikat sot, nesër nuk do të kemi çfarë të mbështesim”
Energjia, lëndët djegëse dhe materialet e ndërtimit në rritje
Eksportet e lëndëve djegëse u rritën me 86,4% në shtator, duke arritur në 7,5 miliardë lekë, të favorizuara nga çmimet e larta në bursat ndërkombëtare. Për 9-mujorin, ky grup eksportoi 61,8 miliardë lekë, me një zgjerim prej 26%. Operatorët e këtij tregu konfirmuan ecurinë pozitive të nxitur nga tregjet e huaja.
Ndërkohë, grupi i materialeve të ndërtimit dhe metaleve shënoi një rritje prej 22,7% në shtator, ndërsa për 9-mujorin rritja arriti në 21.6%, duke regjistruar vlerën 42,8 miliardë lekë.
Rigjallërimi i industrisë automotive dhe ecuria e sektorëve të tjerë
Grupi i makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit u rrit me 14% në shtator, ndërsa shitjet 9-mujore arritën në 33,2 miliardë lekë, me një rritje prej 12,3%. Industri automotive vazhdon të përballet me sfida lidhur me fuqinë punëtore, zhvlerësimin e euros dhe rritjen e pagës minimale në 50 mijë lekë.
Sektori i ushqimeve, pijeve dhe duhanit shënoi një rritje më të dobët prej 2,4% në shtator, kurse për 8-mujorin shitjet jashtë vendit arritën në 42,7 miliardë lekë, me një rritje prej 3,3%.
Partnerët tregtarë dhe tregtia me BE-së
Gjatë muajit shtator 2026, vendet me rritjen më të madhe të eksporteve ishin Kosova (22,5%) dhe Greqia (13,9%), kurse rënie më të madhe shënuan eksportet drejt Italisë (4,0%) dhe Zvicrës (3,8%). Për importet, rritjen më të lartë e shënuan Turqia (6,8%) dhe Greqia (3,8%), ndërsa rënie patën Italia (14,1%) dhe Kina (7,0%).
Shkëmbimet tregtare me vendet e Bashkimit Evropian zënë 54,6% të gjithë tregtisë, ku eksportet drejt BE-së përbëjnë 68,7% të totalit të eksporteve dhe importet përbëjnë 48,9% të totalit të importeve.