Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

E përditshmja gjermane BILD i kushton hapësirë protestave në Tiranë dhe thirrjeve kundër ekzekutivit

E përditshmja gjermane BILD ka analizuar tensionet e fundit në Shqipëri, duke vënë theksin te përplasjet në Tiranë dhe pakënaqësitë e qytetarëve ndaj administratës së drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Sipas shkrimit të gazetarit Marc Oliver Ruehle, metropoli shqiptar u përfshi nga tubime të ashpra, ku pati përleshje mes qytetarëve dhe forcave të rendit, përdorim të gazit lotsjellës e ujit me presion, si dhe dëmtime të pronave. Qindra studentë dolën në sheshe për të kundërshtuar tarifat akademike, kushtet në fakultete dhe për të kërkuar largimin e kreut të qeverisë.

Demonstruesit hodhën gurë dhe lëndë piroteknike, ndërsa në disa objekte shpërthyen flakë. Raportohet se u thyen xhamat e Ministrisë së Arsimit, u hodhën flakadanë brenda oborrit të saj dhe u shfaq tym nga dritaret, çka solli ndërhyrjen e zjarrfikësve. Gjithashtu, u dëmtua një degë banke dhe u dogjën dokumente, ndërsa u vu re edhe një zjarr në një ndërtesë të pabanuar. Artikulli kujton edhe incidentet e së martës te Bashkia e Tiranës, ku protestuesit hynë brenda godinës duke shkaktuar dëme.

Policia konfirmoi se 16 persona u prangosën pas ngjarjeve, ndërsa u dhanë shifra edhe për personat që kërkuar ndihmë mjekësore, përfshirë efektivë, protestues, gazetarë dhe kalimtarë. Nga ana e tij, Delegacioni i Bashkimit Evropian në kryeqytet shprehu brengë për përshkallëzimin e dhunës, duke bërë thirrje për ulje të tensioneve dhe hetim të pretendimeve për përdorim të tepruar të forcës ndaj mediave dhe qytetarëve, në një kohë kur vendi vijon rrugëtimin negociues për anëtarësim.

BILD përmend gjithashtu lëvizjen e njohur si “Protestat e Flamingove”, e cila kundërshton një resort turistik luksoz në një zonë të mbrojtur bregdetare. Projekti lidhet me emrat e Ivanka Trump dhe bashkëshortit të saj Jared Kushner, dhe ka ngritur pikëpyetje mbi ndikimin mjedisor, mungesën e transparencës dhe konfliktin e mundshëm të interesit. Këto pakënaqësi mjedisore po ndërthuren me revoltën studentore për arsimin, duke formuar një klimë më të gjerë pakënaqësie ndaj qeverisë.

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)