Doug Field, një figurë e njohur në industrinë e automjeteve elektrike, ka marrë drejtimin si president i Mind Robotics, një kompani e inteligjencës artificiale dhe robotikës industriale e krijuar nga Rivian vitin e kaluar.
Lajmi u bë i ditur në skenën e TechCrunch Disrupt 2026, aktivitet që zhvillohet nga data 13 deri më 15 tetor në San Francisko, çka tregon se ndërmarrja po përgatitet të zgjerojë aktivitetin e saj. Themeluesi i Rivian, RJ Scaringe, do të ruajë përfshirjen e tij, ndërsa operacionet e përditshme, inxhinieria dhe produktet do të menaxhohen nga Field.
Mind Robotics, e cila ka siguruar mbështetje financiare prej mbi 1 miliard dollarësh nga investitorë të njohur si Accel, Andreessen Horowitz, Eclipse, Kleiner Perkins, si dhe degët e investimeve të Volkswagen dhe Salesforce, synon të ndërtojë një platformë të plotë për prodhimin industrial. Robotët e specializuar do të funksionojnë përmes modeleve bazë me qëllim automatizimin e proceseve industriale në shkallë të gjerë.
Ndryshe nga robotët humanoidë që po zhvillohen nga kompani si Tesla, Scaringe theksoi se Mind Robotics nuk do të përpiqet të imitojë biomekanikën e njeriut. Start-upi gjithashtu po shfrytëzon Rivian si mjedis prodhimi me vëllim të lartë për trajnimin dhe vendosjen e modeleve, duke e cilësuar Rivian si klientin e saj të parë.
Scaringe tregoj se kishte kontaktuar Field për t'i kërkuar një rekomandim, por gjatë bisedës gjetën një vizion të përbashkët rreth misionit të biznesit dhe mënyrës së ndërtimit të ekipeve. Field u largua nga Ford në prill pas pesë vitesh në krye të strategjive të teknologjisë dhe automjeteve elektrike, ndërsa më parë ka udhëhequr edhe Projektin Titan të Apple, i cili u anulua në vitin 2024, si dhe ka mbajtur pozicionin e zëvendëspresidentit të lartë të inxhinierisë te Tesla.
"Integrimi i inteligjencës artificiale dhe robotikës është një nga sfidat inxhinierike më të rëndësishme dhe më të vështira të kohës sonë," u shpreh Field përmes një deklarate. "Mind ka krijuar një ekip të jashtëzakonshëm dhe gëzon një avantazh unik: aftësinë për të vendosur dhe mësuar brenda një fabrike reale me vëllim të lartë që nga dita e parë. Jam jashtëzakonisht i entuziazmuar t'i bashkohem RJ-së në ndërtimin e një ekipi, kulture dhe teknologjie që do të ridimensionojë atë që jemi të aftë të prodhojmë në Amerikë."