Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Buxheti shënon suficit rekord ndërsa qeveria rrit barrën fiskale për vitin e ardhshëm

Buxheti i shtetit ka shënuar një suficit rekord prej 70.3 miliardë lekësh ose rreth 756 milionë euro gjatë nëntëmujorit të vitit 2026, duke tejkaluar ndjeshëm parashikimet e deritanishme për shkak të fondeve të pashpenzuara.

Sipas të dhënave zyrtare, balanca buxhetore duhet të ishte pozitive me 25.4 miliardë lekë, por realizimi faktik solli një suficit rreth 45 miliardë lekë më të lartë se plani, ose 175 për qind më shumë, ndërkohë që rreth 95% e këtij tejkalimi erdhi nga mosrealizimi i shpenzimeve dhe vetëm 5% nga të ardhurat shtesë.

Pavarësisht kësaj anomalie në ekzekutimin e fondeve, administrata ka vendosur të rrisë barrën fiskale për vitin e ardhshëm me të paktën 150 milionë euro shtesë që do të paguhen nga qytetarët dhe bizneset. Në paketën e re fiskale, tatimfitimi për kompanitë do të ngjitet nga 15 në 17%, dividenti do të rritet nga 8 në 15%, ndërsa pragu i TVSH-së së bizneseve do të ulet në 5 milionë lekë. Edhe pse parashikohet një ulje e TVSH-së për ushqimet nga 20 në 6%, rritja e TVSH-së nga 20 në 21% për të gjitha produktet e tjera praktikisht e neutralizon këtë lëvizje.

Paaftësia për të zbatuar buxhetin është thelluar gjatë këtij 9-mujorit, ku mosrealizimi i shpenzimeve ka arritur në 7.2%, krahasuar me 4% në vitin 2025 dhe 4.8% në vitin 2024. Ndryshimet historike tregojnë se ndërsa në vitin 2019 për çdo 100 lekë të mbledhura shteti shpenzonte rreth 101 lekë, në vitin 2026 shpenzohen vetëm 89 lekë për çdo 100 lekë të ardhura.

Pjesa më e madhe e këtij mosrealizimi lidhet me investimet e prapambetura. Shpenzimet kapitale arritën në 62.8 miliardë lekë nga 83.5 miliardë lekë të planifikuara, duke u realizuar në masën 75.2%, ndërsa shpenzimet korente shënuan një realizim prej 95.7%. Kjo situatë vë në pikëpyetje kapacitetet e institucioneve për të ekzekutuar fondet publike dhe efektivitetin e tyre në zhvillimin ekonomik të vendit.

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)