Skema e re e parashikuar në projektbuxhetin e vitit 2027 për pensionet dhe bonusin mund të sjellë një mesatare teorike prej 1,500 lekësh shtesë në muaj për çdo përfitues.
Parashikimet për buxhetin e vitit 2027 tregojnë se fondet e dedikuara për politikat e reja të pensioneve dhe bonusin do të shkojnë në 24 miliardë lekë, duke u rritur nga 11.65 miliardë lekë që ishin planifikuar për vitin 2026, çka përbën një shtesë prej 12.35 miliardë lekësh. Të dhënat nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) vërtetojnë se numri i pensionistëve të pleqërisë në vitin 2025 preku shifrën 641,085 persona, ndërsa në vitin 2021 ky numër ishte 557,017, duke shënuar një rritje prej rreth 84 mijë qytetarësh brenda katër viteve. Projeksionet e ISSH-së tregojnë një shtim vjetor me të paktën 16 mijë pensionistë, duke bërë që numri total të arrijë rreth 673 mijë veta deri në vitin 2027.
Nëse shuma shtesë prej 12.35 miliardë lekësh do të ndahej në mënyrë të barabartë vetëm mes pensionistëve të pleqërisë, përfitimi mesatar do të arrinte në 18,348 lekë në vit, ose 1,529 lekë në muaj. Nga kjo shifër, 10 miliardë lekë shkojnë për zgjerimin e fondit të bonusit, ndërsa 2.35 miliardë lekë përfaqësojnë shtesën e destinuar për politikat e reja të pensioneve. Kjo përkthehet në rreth 1,238 lekë në muaj për çdo pensionist nga ana e bonusit dhe afërsisht 291 lekë nga fondi shtesë i politikave, vlera këto që paraqesin ekuivalentët mujorë të financimit vjetor dhe jo välera pagesash mujore të detyrueshme. Nga ana tjetër, rreth 81% e këtyre fondeve shtesë i përkasin fondit të bonusit, kurse vetëm 19% i dedikohen rritjes së fondit për politikat e reja.
Ecuria e deritanishme e pensionit mesatar urban ka shënuar ecuri të ngadaltë, duke u rritur nga 17,258 lekë në vitin 2021 në 20,123 lekë në vitin 2025, me një shtesë prej 2,865 lekësh në katër vite, ose rreth 716 lekë në vit. Llogaritjet tregojnë se nëse pensionit mesatar urban do t’i shtoheshin përherë nga 1,529 lekë në muaj, dyfishimi do të kërkonte rreth 13 vjet. Ndërkohë, për pensionin rural që ishte 12,313 lekë, dyfishimi me të njëjtën shtesë do të kërkonte rreth 8 vjet. Megjithatë, një skenar i tillë kërkon që buxheti të garantojë çdo vit fonde të reja të ngjashme, garanci që nuk jepet nga projektbuxheti aktual. Sipas ritmit historik të periudhës 2021–2025, që pati një rritje mesatare nominale prej rreth 3.9% në vit, dyfishimi do të kërkonte rreth 18 vjet. Krahas kësaj, fondi i përgjithshëm i sigurimeve shoqërore pritet të ngjitet me 5.2%, nga 204.96 miliardë lekë në vitin 2026 në 215.59 miliardë lekë në vitin 2027.
Në rang rajonal, pensionet në Shqipëri vazhdojnë të shfaqen dukshëm më të ulëta se në shtetet fqinje të Ballkanit Perëndimor. Në Mal të Zi, pensioni mesatar për dhjetorin e vitit 2025 ishte rreth 543 euro. Në Serbi, sipas Fondit Republikan të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, ky tregues arriti në rreth 485 euro, pas një rritjeje prej 24.4% të regjistruar nga dhjetori i vitit 2024 deri në dhjetor 2025. Në Maqedoninë e Veriut, të dhënat e shtatorit 2025 dëshmojnë se pensioni mesatar i pleqërisë ishte 28,789 denarë (rreth 468 euro), kurse mesatarja e të gjitha pensioneve kapte vlerën rreth 442 euro, me një rritje prej 14.5% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit parardhës. Në Shqipëri, pensioni mesatar urban i pleqërisë në fund të vitit 2025 llogaritej në rreth 205 euro, kurse ai rural në rreth 125 euro, duke u mbështetur te një kurs orientues prej 98 lekësh për euro.