Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ka deklaruar nga sheshi i protestës se kryeministri Edi Rama ka humbur çdo legjitimitet për të drejtuar vendin, ndërsa theksoi se qytetarët dhe rinia janë ngritur kundër sistemit aktual.
Gjatë fjalës së tij, Qori u shpreh se kreu i ekzekutivit nuk ka më arsyetim apo kapacitet qeverisës, duke shtuar se presionet ndaj të rinjve dhe familjarëve të tyre janë të papaguara. Ai vlerësoi se shqiptarët nuk kanë çfarë humbasin më, ndaj rezistenca është bërë e pashmangshme përballë korrupsionit dhe oligarkisë.
Në mbyllje, drejtuesi i Lëvizjes Bashkë ftoi çdo qytetar shqiptar t'i bashkohet tubimit për t'i dhënë fund këtij cikli politik.
“E morët vesh çmendurinë e fundit të Edi Ramës? Në një vend ku nuk ka trena, ai do t’u ndalë protestuesve, të rinjve në protestë, që nesër të hypin në trena. Edi Rama e ka humbur arsyen, Edi Rama e ka humbur legjitimitetin për të qeverisur, Edi Rama e ka humbur edhe kapacitetin për të qeverisur. Ai nuk i kërcënon dot të rinjtë, sepse të rinjtë nuk kanë as sotme, as të ardhme në Shqipëri nën qeverisjen e Edi Ramës. Edi Rama ua ka marrë gjithçka, iu ka marrë gjithçka popullit shqiptar dhe prandaj, kjo rini që nuk ka më asgjë për të humbur, por të ardhmen e vet për të fituar, është ngritur masivisht dhe si asnjëherë tjetër në protestë. Madje, edhe thirrjet e Ramës që prindërit t’i kërcënojnë fëmijët që mos dalin në protestë nuk funksionojnë, sepse prindërit janë bashkë me fëmijët, sepse edhe ata e dinë që është i pajetueshme Shqipëria nën thundrën e Edi Ramës, nën thundrën e korrupsionit, të oligarkisë dhe të krimit të organizuar. Prandaj unë i bëj thirrje gjithëve, çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë, të bashkohet në këtë protestë, sepse vërtet Edi Ramës dhe sistemit të vjetër politik dhe oligarkik po i vjen fundi”