Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Takimi i G7 në Paris: Shtetet evropiane kërkojnë nga Marco Rubio garanci për Ukrainën dhe Iranin

Ministrat e Jashtëm të G7 janë mbledhur në Paris për të trajtuar luftën në Ukrainë, tensionet me Iranin dhe sfidat e sigurisë, teksa zyrtarët evropianë i kërkojnë Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, një zgjidhje të drejtë për ukrainasit dhe frenimin e një konflikti të ri me Teheranin.

Takimi dy-ditor shërben për Britaninë, Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Japoninë dhe SHBA-në që të bashkërendojnë qëndrimet e tyre gjeopolitike. Ankthi kryesor i evropianëve lidhet me bisedimet mes Moskës dhe Kievit në Abu Dhabi, të ndërmjetësuara nga Uashingtoni, nga frika se Ukraina mund të detyrohet të pranojë kushte të dëmshme dhe se SHBA mund të arrijë marrëveshje sigurie me Rusinë pa përfshirjen e duhur të Evropës.

Kreu i diplomacisë gjermane, Johannes Wadephul, theksoi se kontinienti ynë duhet të jetë pjesë e çdo bisedimi që vendos mbi të ardhmen e sigurisë së tij.

“Evropa duhet të ketë një vend në tryezën e negociatave”, deklaroi ai, duke shtuar se nuk duhet ngritur një arkitekturë e re sigurie pa pjesëmarrjen e vetë shteteve evropiane.

Nga ana tjetër, ministri francez i Punëve të Jashtme, Jean-Noël Barrot, konfirmoi se në bisedimet për Ukrainën do të ketë edhe zyrtarë evropianë, përfshirë Francën. Deklaratat e Presidentit amerikan Donald Trump për një marrëveshje madhore me Rusinë kanë shtuar frikën në Evropë, pasi ajo mund të ndikojë te i gjithë rajoni.

Ndërkohë, Kanadaja ka ndërmarrë sanksione të reja ndaj Moskës, duke vënë në shënjestër 38 entitete dhe 24 individë për të dobësuar kapacitetet e saj ushtarake. Në diskutimet për Ukrainën pritet të marrë pjesë edhe ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, me synim forcimin e mbrojtjes ajrore, presionin ndaj Rusisë dhe lirinë e lundrimit në Detin e Zi.

Një tjetër temë kyçe mbetet Irani, ku partnerët evropianë kërkojnë shmangien e një lufte të re dhe rikthimin e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit. Ndonëse nuk i ka përjashtuar plotësisht sulmet e reja, Trump është shprehur se rifillimi i armiqësive është “jashtëzakonisht i pamundur”. Wadephul kërkoi shmangien e përshkallëzimit ushtarak, ndërsa Rubio bëri me dije se momentalisht s'ka përparim në bisedimet me Teheranin.

Pas takimeve, Sekretari amerikan theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për sigurinë dhe sfidat humanitare, ndërsa për inteligjencën artificiale mbrojti qasjen e administratës Trump që i jep përparësi inovacionit dhe privatëve në vend të rregulloreve të tepërta.

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)