Sekretarja e Partisë “Mundësia”, Barbara Doda, u shpreh gjatë një interviste në “News24” se forca e saj politike refuzon çdo bashkëpunim me Edi Ramën, duke theksuar se vendi ka nevojë për fundin e politikës së vjetër.
Gjatë bisedës për zhvillimet aktuale, ajo u ndal te tubimet kundër qeverisë, duke thënë se protesta ka arritur të zbulojë fytyrën e vërtetë të kryeministrit. “Ne e kemi lënë PD nuk duam të jemi atje. Ne e lamë sepse mendonim që politika e vjetër duhet të marrë fund. Protesta e ka arritur qëllimin e saj. E ka çjerrë maskën e Edi Ramës. Sot të majtëve e të djathtëve iu duket ai çfarë është në realitet, një autokrat i rëndomtë. Këtë gjë protesta e ka treguar hapur,” u shpreh ajo, duke shtuar se faktori politik për ta mbeten sheshi dhe studentët.
Doda kërkoi gjithashtu transparencë të plotë lidhur me takimin mes ministrit Toni Gogu dhe kryebashkiakut Erion Veliaj, të cilin e cilësoi si një formë presioni të hapur, duke përmendur se vizita u zhvillua në orën 22:00, në një kohë kur vendi ndodhet nën valën e protestave.