Amerikanët kanë pikëpamje kontradiktore për tregun e punës: ata janë më të shqetësuar se papunësia do të rritet në nivel kombëtar, ndërkohë që ndihen më të sigurt se mund të gjejnë një punë tjetër nëse do të humbisnin të tyren.
Sipas Anketës së Pritshmërive të Konsumatorit të Bankës Federale të Rezervës së Nju Jorkut, mundësia e perceptuar që papunësia të rritet gjatë vitit të ardhshëm u ngjit në 45.3% në tetor, niveli më i lartë që nga prilli i vitit 2020 – një rritje e nxitur nga ata që nuk kanë një diplomë kolegji.
Po kështu, mundësia e perceptuar për të gjetur një punë tjetër nëse dikush humbet pozicionin e tij aktual u rrit në 46.5%, niveli më i lartë në rreth një vit.
Mundësia e perceptuar e amerikanëve për të humbur punën e tyre gjatë vitit të ardhshëm u rrit gjithashtu lehtë, duke u ngritur me 0.4 pikë përqindjeje, në 13.9%.
Ky këndvështrim i përzier thekson një tipar të pazakontë të tregut të sotëm të punës – punësimi po rritet dhe papunësia mbetet historikisht e ulët, por gjetja e një vendi pune mund të jetë ende një luftë e zgjatur.
Raporti i punësimit për muajin tetor tregoi se punëdhënësin shtuan 165,000 vende pune muajin e kaluar, një shifër çuditërisht e fuqishme. Shkalla e papunësisë ka qëndruar në kufijtë e ngushtë prej 4% deri në 4.2% për pesë muaj radhazi.
Por të dhënat e së premtes treguan gjithashtu se 2 milionë amerikanë kanë qenë të papunë për të paktën gjashtë muaj, duke përbërë më shumë se 25% të të gjithë punëtorëve të papunë.
Periudha mesatare e papunësisë u ngjit në 27.1 javë në tetor, më e gjata që nga dhjetori i vitit 2021. (Duke përjashtuar periudhën e pandemisë, është leximi më i lartë që nga gushti i vitit 2016.)
Përpara raportit të Indeksit të Çmimeve të Konsumit për muajin tetor – që do të publikohet nesër – Rezerva Federale e Nju Jorkut deklaroi se pritshmëritë për inflacionin mbetën të pandryshuara muajin e kaluar në 3.9% për vitin e ardhshëm, 3.3% për tre vjet dhe 3% për pesë vjet.