Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Bardhi kërkon shkarkimin e drejtorit të Burgjeve: Qelitë nuk janë hotele për krimin

Kreu i demokratëve në Kuvend, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj kreut të Policisë së Burgjeve, duke e cilësuar qëndrimin e tij të papërgjegjshëm dhe duke kërkuar largimin e tij nga detyra pas deklaratave për kushtet e të burgosurve.

Në një deklaratë publike, ai u shpreh: „Kjo është një deklaratë skandaloze, e papërgjegjshme dhe thellësisht antishtetërore!“

Bardhi vijoi më tej: „Në vend që të japë llogari se kush e lejoi dhe si u bë e mundur që qelitë e burgjeve shqiptare të shndërroheshin në hotele luksi me pesë yje, për eksponentë të rrezikshëm të krimit të organizuar, Drejtori i Policisë së Burgjeve zgjedh të justifikojë këtë situatë me argumente absurde, si: „edhe bota lejon personalizimin“ apo se „ishin sende të tepërta, por jo të ndaluara““.

Sipas tij, një arsyetim i tillë synon të minimizojë shkeljen ligjore dhe të mbrojë përgjegjësinë e institucioneve.

Ai shtoi gjithashtu: „Legjislacioni shqiptar dhe Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve përcaktojnë qartë dhe në mënyrë shteruese sendet që lejohen të mbahen në qelitë e burgjeve, si dhe kushtet në të cilat ato duhet të administrohen. Asnjë dispozitë ligjore nuk mund të interpretohet si leje për luks të pakufizuar, për instalime të pajustifikuara apo për investime private që cenojnë regjimin dhe sigurinë e institucioneve penitenciare“.

Duke vijuar kritikat, ai theksoi: „Të justifikosh luksin e pajustifikueshëm të eksponentëve të krimit të organizuar brenda burgjeve shqiptare do të thotë të pranosh si të normalizuar shkeljen e ligjit dhe të tradhtosh vetë misionin e institucioneve që duhet ta zbatojnë atë“.

Në përfundim, deputeti u shpreh: „Në një shtet që funksionon mbi përgjegjshmërinë dhe sundimin e ligjit, pas një deklarate të tillë, Drejtori i Policisë së Burgjeve nuk do të duhej të rikthehej në zyrë sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Një ministër i përgjegjshëm i Drejtësisë do të kërkonte menjëherë llogari dhe do të merrte masa konkrete, deri në shkarkimin e tij“.

Sipas tij, „Burgjet nuk janë hotele luksi. Qelitë nuk janë prona private. Dhe krimi i organizuar nuk mund t’i ketë privilegje që qytetarët e zakonshëm as nuk mund t’i imagjinojnë. Detyra e strukturave të sigurisë në burgje është të garantojnë zbatimin e ligjit, disiplinën dhe sigurinë, jo të sigurojnë rehatinë e krimit të organizuar!“

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)