Progres-raporti i Komisionit Europian për vitin 2026 vëren se kuadri ligjor për pavarësinë e bankës qendrore dhe ndalimin e financimit monetar të sektorit publik është përafruar me Bashkimin Europian.
Dokumenti analizon miratimin e ligjit të ri për Bankën e Shqipërisë, duke theksuar se ai përbën një arritje kyçe në përmbushjen e kritereve europiane. Në vitin 2024, Brukseli kërkonte masa shtesë për të garantuar pavarësinë personale të drejtuesve dhe zbatimin e ndalimit të financimit monetar. Ndërsa në vitin 2025, përafrimi i plotë i ligjit ishte ende ndër rekomandimet kryesore. Në raportin e vitit 2026, Komisioni konstaton se legjislacioni është përafruar me acquis-in e BE-së për këto dy fusha, pas miratimit të ligjit në tetor 2026.
Ky përparim pasqyrohet gjithashtu te kapitulli 17 për “Politikën ekonomike dhe monetare”, ku Shqipëria kalon nga një nivel i moderuar në një nivel të mirë përgatitjeje gjatë vitit 2025 dhe 2026. Veç kësaj, raporti përmend përmirësimet në sistemet e pagesave për t'u përshtatur me standardet ISO 20022 dhe SEPA, me pagesat elektronike që shënuan një rritje prej 23% gjatë vitit 2025.
Sektori bankar vlerësohet si i qëndrueshëm dhe i mirëkapitalizuar. Në dhjetor 2025, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit arriti në 20.4%, ndërsa kreditë me probleme ranë në 3.8% në maj 2026, niveli më i ulët që prej vitit 2008. Kredia për sektorin privat u rrit me mbi 14% në gjysmën e parë të vitit 2026, ndërsa banka e parë digjitale u licencua në mars 2026.