Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka dhënë mesazhe të qarta gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin Edi Rama, duke u ndalur te protestat në vend dhe publikimi i progres-raportit.
Duke folur për tubimet ku kërkohet largimi i kreut të qeverisë, ajo theksoi se ato nisën për shkak të shqetësimeve mjedisore dhe më pas përfshinë kërkesa për qeverisje më të mirë dhe luftë ndaj korrupsionit.
“Ishin çështjet mjedisore ato që nxitën protestat, që u shoqëruan me lëvizje më të gjera, luftë kundër korrupsionit, qeverisje më të mirë. Protestat paqësore janë pjesë e jetës demokratike, por në këtë jetë demokratike nuk ka vend dhuna. Çdo reagim dhune duhet të mbetet proporcional. Por e përsëris, dhuna nuk ka vend në jetën demokratike të vendit. Pakënaqësitë duhet të zgjidhen përmes dialogut. U takon institucioneve që të krijojnë kushtet për zhvillimin e dialogut demokratik. Dje Shqipëria mori progres-raportin, ku nuk mori kushte të reja.”, tha ajo.
Lidhur me dokumentin e BE-së, diplomatja evropiane konfirmoi se në këtë fazë të integrimit, vendi nuk është ngarkuar me kushte shtesë.