Kryeministri Edi Rama e cilësoi progres-raportin e KE-së si një dëshmi të punës qeveritare dhe arritjeve drejt Bashkimit Europian, gjatë konferencës me ambasadoren Sofia Moreira de Sousa, duke fajësuar dezinformimin për mungesën e perceptimit publik.
Gjatë këtij takimi me gazetarët, kreu i qeverisë u pyet për tensionet dhe përplasjen publike me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, por preferoi të mos jepte një përgjigje konkrete, duke i quajtur këto zhvillime si çështje të parëndësishme për të.
“Janë si këto zhurmat e makinave që shkojnë dhe vijnë në Bulevard. Aq sa janë ato të rëndësishme për ne që jemi këtu, aq janë të rëndësishme për mua ato që pyetët ju”, u shpreh Rama, duke lënë mënjanë komentet mbi akuzat e ngritura nga burgu prej kryebashkiakut.
Kjo situatë vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes dy drejtuesve socialistë janë tensionuar hapur, pasi Veliaj ka pretenduar se përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, i janë përcjellë kërkesa të forta, përfshirë pranimin e lidhjeve me protesta, dorëzimin e drejtimit të bashkisë te Arbër Hajdari dhe ndryshimin e mbrojtjes ligjore.
Sipas pretendimeve të bëra publike nga ana e kryebashkiakut përmes avokatit të tij më 4 nëntor, refuzimi i këtyre kërkesave do të shoqërohej me rëndim akuzash dhe rrezikun e një dënimi të gjatë me burg. Në ditarin e tij personal, Veliaj ka pasqyruar kundërshtimin e këtyre kërkesave dhe refuzimin e çdo shantazhi, ndërkohë që avokati Plarent Ndreca ka njoftuar edhe transferimin e tij në spitalin e burgut të Fierit për shkak të një dëmtimi në këmbë.