Në dëshminë e tij para gjyqtarit nga reparti psikiatrik, 21-vjeçari Eduart Xhani pranoi se vrau nënën e tij në Itali, ndërsa shtoi se kishte tentuar të vetëvritej para ngjarjes së rëndë.
Gjatë seancës për vlerësimin e ndalimit, e cila u mbajt në spital, i riu konfirmoi autorësinë e krimit, duke ripërsëritur atë çka kishte thënë më parë para karabinierëve. Përpara gjyqtarit të hetimeve paraprake të Gjykatës së Breshias, Mauro Ernesto Macca, ai dha përgjigje të pakuptimta dhe të çorientuara lidhur me motivet e ngjarjes, gjë që solli edhe transferimin e tij në spital nga burgu Canton Mombello.
Ngjarja ndodhi rreth orës 21:00 në banesën e tyre në Chiari, teksa nënë e bir ndodheshin në kuzhinë. Sipas hetimeve paraprake, i riu e goditi për vdekje 39-vjeçaren Meleqe Lusha me thikë në fytyrë dhe në gjoks. Hetuesit nuk kanë konstatuar ndonjë konflikt të mëparshëm mes tyre, ndërsa shkaqet mbeten ende të panjohura.
Pas krimit, Xhani u largua me makinë dhe lëvizri për rreth dhjetë orë nëpër provincat e Breshias dhe Kremonës, ende me rrobat e lyera me gjak. Të nesërmen në mëngjes, rreth orës 07:00, ai parkoi makinën e tij “Audi” pranë një patrulle të karabinierëve në Kremona dhe i tha efektivit që iu afrua: “Kam vrarë mamin tim. Në shtëpinë tonë”.
I riu, i cili ka punuar më parë si punëtor krahu dhe së fundmi si kamarier në një restorant të rrjetit Burger King në Rovato, ishte fëmija i vetëm dhe nuk kishte precedentë të mëparshëm penalë. Njerëz që e kishin njohur e kujtonin si person të mbyllur dhe të heshtur.