Korporata e Investimeve Shqiptare ka hequr dorë nga gara për përzgjedhjen e një partneri privat, i cili do të ngrinte dy komplekse turistike në Palasë dhe Dhërmi në këmbim të një qendre të re për shërbimet publike në bregdet.
Vendimi për mbylljen e procedurës ka ardhur si pasojë e interesit të ulët dhe mungesës së aplikimeve gjatë fazës hapëse të garës, afati i së cilës përfundoi më 28 tetor.
“Për shkak të numrit të pamjaftueshëm të aplikimeve të dorëzuara për Fazën I të procedurës konkurruese”, shprehet institucioni në njoftimin zyrtar, duke konfirmuar se procesi nuk do të vazhdojë më tej për gjetjen e bashkëpunëtorit privat.
Iniciativa e quajtur “Qendra e Shërbimeve Publike Palasë” bazohet te bashkëpunimi publik-privat, ku shteti ofron troje në zona me rëndësi turistike, kurse investitori merr përsipër ngritjen e ndërtesave shtetërore dhe komplekseve të hotelerisë.
Plani përfshin tri hapësira të ndara, një për institucionet dhe dy të tjera për turizëm e hoteleri.
Qendra e re administrative dhe e sigurisë ishte parashikuar pranë nyjës rrugore të Palasës, në një truall shtetëror prej rreth 54,391 metrash katrorë, ku do të vendoseshin komisariati i zonës, policia kufitare e Dhërmiut, struktura të Gardës së Republikës, zjarrfikësit dhe njësitë mjekësore të urgjencës.
Si kundërshpërblim për ndërtimin e këtyre mjediseve, palës private do t'i jepej mundësia të ngrinte dy struktura akomoduese në pronësi shtetërore në Palasë dhe Dhërmi.
Toka në Palasë, ku aktualisht funksionon stacioni i policisë, shtrihet në një sipërfaqe prej 2,555 metrash katrorë, me një mundësi zhvillimi prej rreth 3,577 metrash katrorë.
Sa i takon Dhërmiut, plani përfshinte hapësirën e Policisë Kufitare pranë bregut, me një truall rreth 1,500 metra katrorë dhe një ndërtesë ekzistuese prej 312 metrash katrorë, ndërsa hapsira maksimale e parashikuar për ndërtim llogaritej rreth 2,100 metra katrorë.
Sipas rregullave të vendosura në garë, subjekti privat ishte i detyruar t'i dorëzonte Korporatës jo më pak se 35% të hapësisë së ndërtuar në secilin prej hoteleve.
Kjo pjesë do të shërbente si kompensim për ngritjen e Qendrës së Shërbimeve Publike. Ndërprerja e kësaj procedure i shtohet rasteve të ngjashme ku nismat e Korporatës së Investimeve Shqiptare janë ndalur apo janë shpallur sërish për shkak të numrit të vogël të ofertuesve.