Gjatë një takimi të grupit të Partisë Popullore Europiane, deputetja demokrate Jorida Tabaku ka parashtruar zhvillimet politike në vend, duke u ndalur te presioni qeveritar ndaj gazetarëve dhe përdorimi i dhunës gjatë protestave.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e ka paraqitur situatën në Shqipëri para mbledhjes së Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian (AFET), duke përmendur shqetësimet për sulmet ndaj "News24", "Syri TV" dhe mediave të ndryshme, si dhe intimidimin e gazetarëve.
Gjatë fjalës së saj, ajo vuri theksin te pasojat që sjell kjo situatë në ekonominë e vendit, funksionimin e shtetit ligjor dhe rrugëtimin drejt Bashkimit Europian.
"Një sistem që godet ekonominë dhe shtetin ligjor, ku korrupsioni dhe krimi i organizuar pengojnë integrimin europian dhe rrezikojnë të ardhmen e vendit", u shpreh ajo.
Tabaku diskutoi gjithashtu për dhunën e policisë ndaj qytetarëve protestues dhe e cilësoi ligjin kundër tubimeve si antikushtetues, duke kujtuar se ai është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga opozita, shoqëria civile dhe studentët.
Liria e shtypit zuri vend kyç në diskutimet e EPP-së, ku ajo e vlerësoi situatën e mediave si pjesë të një presioni më të gjerë autoritar nga qeveria.
"Shqiptarët e duan vendin e tyre në BE. Edhe Europa e do Shqipërinë pjesë të saj. Edi Rama do vetëm pushtetin e tij", deklaroi Tabaku.
Në përfundim të fjalës së saj, ajo bëri thirrje se "Është koha për ndryshim!"