FBI-ja ka nisur një hetim mbi lidhjet e mundshme mes drejtorit ekzekutiv të Nvidia-s, Jensen Huang, dhe një gruaje që dyshohet se vepronte si spiune për llogari të Kinës, sipas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump.
Gjatë një prononcimi për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Trump bëri të ditur se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me kreun e Nvidia-s gjatë ditës së hënë, ku e kishte pyetur drejtpërdrejt nëse kishte dijeni për aktivitetin e dyshuar të gruas me inteligjencën kineze. “A kishe dijeni që ajo ishte spiune?”, tha Trump se e kishte pyetur drejtuesin e Nvidia-s. Sipas shefit të Shtëpisë së Bardhë, Huang ishte përgjigjur se nuk kishte pasur asnjë informacion, një shpjegim që ai tha se e besonte, duke e cilësuar bashkëthemeluesin e kompanisë si një person të ndershëm.
Ndërsa presidenti konfirmoi përfshirjen e FBI-së, agjencia federale nuk pranoi të jepte komente publike. Sipas një raportimi nga “The New York Times”, zyrtarët e inteligjencës amerikane dyshojnë se Alice Huang, e cila njihet gjithashtu si Huang Le, ka punuar për Pekinin. Ajo nuk ka lidhje familjare me kreun e Nvidia-s, por ka mbajtur detyrën e drejtoreshës menaxhuese në firmën singaporiane Megaspeed, e cila ka pasur bashkëpunim biznesi me prodhuesin e mikroçipave.
Raporti gjithashtu vë në dukje se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u kishte dërguar një memorandum zyrtarëve të lartë në Uashington gjatë pranverës së kaluar, ku tërhiqte vëmendjen për afërsinë mes Jensen Huang dhe gruas në fjalë. Nga ana e saj, Nvidia ka nisur një hetim të brendshëm të pavarur, duke theksuar se nuk ka prova që tregojnë se sekretet tregtare ose siguria kombëtare janë cenuar.
Këto zhvillime kanë sjellë turbulenca në tregjet financiare, ku vetëm të hënën aksionet e kompanisë shënuan një rënie prej mbi 4%, duke fshirë rreth 250 miliardë dollarë nga vlera e tregut të firmës. Po ashtu, drejtuesi dhe Nvidia përballen me një padi kolektive në Kaliforni, ku akuzohen se kanë fshehur marrëdhënien për të mos shqetësuar aksionarët, ndërsa pretendohet se gruaja mund të ketë ndihmuar në kontrabandimin e produkteve drejt Kinës.
Nga ana e tij, Pekini i ka hedhur poshtë akuzat, duke i quajtur ato spekulative dhe të pabazuara, me qëllim dëmtimin e imazhit të vendit. Nvidia renditet si kompania e dytë më e vlefshme në botë pas Apple, ndërsa roli i çipave të saj në fushën e inteligjencës artificiale e bën eksportin e teknologjisë drejt Kinës një nga temat më të ndjeshme gjeopolitike.