Vala e rritjes së karburanteve ka përfshirë të gjithë sektorët prodhues dhe shërbyes në vend, duke shtuar shpenzimet e bizneseve dhe duke u reflektuar në tarifat e shërbimeve. Sipas vlerësimeve, çmimi i naftës në Shqipëri ka qenë rreth 41% më i lartë se në Maqedoninë e Veriut dhe rreth 17% më i lartë sesa në Serbi, ndërsa mesatarja rajonale qëndronte në 1,77 euro për litër deri në fund të gushtit.
Sektori i bujqësisë mbetet ndër më të prekurit, ku Agim Rrapaj, kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, shpjegon se lëndët djegëse zënë 40% të shpenzimeve në mekanikën bujqësore. Tarifat për plugimin e tokës janë ngritur në 2,000 lekë për dynym nga 1,500 lekë, ndërsa frezimi ka arritur në 1,500 lekë për dynym nga 1,200 lekë që ishin më parë, duke shënuar një rritje prej 25 deri në 33%.
Në kuadër të ekonomisë qarkulluese, kompania “AZ Group”, e cila që prej vitit 2023 prodhon fertilizantin 100% organik “AZ Fert”, ka parë një rënie prej 25% në prodhim. Kjo erdhi pasi kostot e transportit nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova u bënë të papërballueshme për shkak të karburantit.
Edhe përpunuesit e qumështit po hasin vështirësi shtesë. Luis Ndreka nga “Lufra” thekson se kostoja e ambalazhit plastik është rritur me 15–20% krahasuar me periudhën para luftës. Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit raporton se disa prodhues i kanë rritur çmimet deri në 4% për artikujt si kosi, qumështi dhe djathi. Përfaqësuesit e sektorit sugjerojnë uljen e TVSH-së në ushqime, duke marrë shembull vendet fqinje. Për shembull, Maqedonia e Veriut aplikon një normë të reduktuar prej 5% për rreth 1,600 produkte ushqimore bazë, ndërsa Kosova ka një normë prej 8% për drithërat, miellin, bukën, vajrat, qumështin dhe vezët. Serbia zbatoj një normë prej 10% për ushqimet bazë, krahasuar me normën standarde prej 20% që përdoret rëndom, ndërsa në Shqipëri norma e TVSH-së mbetet në kuotën e 20%.
Eksperti i ekonomisë Alban Zusi vëren se shpenzimet e larta të transportit janë rritur nga 10 deri në 30%, e në disa raste deri në 50%, duke kufizuar investimet dhe rritjen e pagave në agropërpunim. Ndërkohë, Florant Dautaj nga uji i ambalazhuar “Qafshtama” tregon se kompania nuk i ka transferuar kostot te konsumatori, duke mbajtur çmime të qëndrueshme gjatë 10 viteve të fundit me ndryshime nën 10%. Përballë kësaj situate, kompania ka planifikuar një investim prej rreth 3 milionë eurosh për një linjë të re prodhimi në janar 2027, me qëllim rritjen e eficiencës.