Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Bardhaj të Shkodrës, ku një elektricist 34-vjeçar ka ndërruar jetë si pasojë e goditjes së dyshuar nga rryma elektrike teksa po ndërhynte për të rregulluar një defekt në shtyllë.
Referuar të dhënave paraprake nga Policia, punonjësi i zonës me inicialet A. N. u transportua në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Shkodrës rreth orës 20:36, por fatkeqësisht kishte mbërritur pa shenja jete. Mendohet se i ndjeri ishte thirrur nga disa banorë të zonës, të cilët vuanin mungesën e dritave, për të kryer riparimin jashtë orarit zyrtar të punës. Nga ana e policisë bëhet me dije se kjo ndërhyrje dyshohet të jetë bërë pa njoftuar më parë dispeçerinë e OSHEE-së. Ndërkohë, grupi hetimor po punon në vendngjarje nën kujdesin e Prokurorisë për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij aksidenti fatal.