Parlamenti i ri i Izraelit ka filluar seancat këtë të martë, në një periudhë kyçe për skenën politike, teksa opozita që zotëron shumicën synon të frenojë ndikimin e kryeministrit në ikje, Benjamin Netanyahu, ndërkohë që vijojnë përpjekjet për krijimin e një qeverie të re.
Mandati për ndërtimin e kabinetit të ri qeverisëse i është dhënë kundërshtarit të tij centrist, Gadi Eisenkot. Sidoqoftë, deri në finalizimin e qeverisë, forcat opozitare mund të shfrytëzojnë instrumentet parlamentare për ndryshime të rëndësishme në drejtimin institucional të vendit.
Sipas ekspertit Assaf Shapira nga Instituti i Demokracisë së Izraelit, mungesa e një qeverie funksionale nuk ia ul kompetencat Knessetit, i cili vazhdon aktivitetin e vet sipas ndarjes së pushteteve.
Komision hetimor për sulmin e 7 tetorit
Një nga zotimet kryesore të opozitës gjatë fushatës ishte ngritja e një komisioni hetimor të pavarur për të shqyrtuar lëshimet rreth sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 në jug të shtetit izraelit.
Ky hetim do të analizojë përgjegjësitë politike dhe shtetërore të ngjarjes më tragjike në historinë e vendit, duke përfshirë edhe mundësinë e përfshirjes së Benjamin Netanyahut.
Kryeministri në detyrë ka hedhur poshtë çdo fajësi, ndërsa administrata e tij më parë pati kundërshtuar formimin e një komisioni shtetëror hetimor me kompetenca të plota.
Opozita mund të nisë fillimisht me një komision të posaçëm parlamentar, që më pas mund t'i kalojë gjetjet një komisioni shtetëror nëse ky ngrihet më vonë. Gadi Eisenkot është zotuar se do të dorëzojë një projektligj në Knesset për këtë çështje.
Opozita synon të shfuqizojë ligjet e qeverisë Netanyahu
Një tjetër synim i shumicës së re është anulimi i akteve ligjore më të rëndësishme të miratuara nga ish-koalicioni qeverisës.
Në parlamentin e kaluar, aleanca e Netanyahut kishte 68 mandate, kurse tashmë ka mbetur me 46 vende, ndërsa opozita ka siguruar 67 deputetë.
Në fokus janë veçanërisht akti që ngushtoi kompetencat e Gjykatës Supreme dhe ai që lehtësoi largimin e prokurorit të përgjithshëm.
Sipas studiuesit Assaf Shapira, këto dispozita mund të shfuqizohen përmes rrugës ligjore, megjithëse procedura kërkon disa javë dhe bashkërendim mes partive opozitare.
Përplasja e parë për drejtimin e Knessetit
Beteja e parë politike pritet të jetë zgjedhja e kryetarit të ri të kuvendit, post që aktualisht mbahet nga Amir Ohana, mbështetës i Netanyahut dhe përfaqësues i partisë Likud.
Rregullorja lejon që votimi të bëhet qysh në mbledhjen e parë, ose deri në ditën e betimit të qeverisë.
Tre parti opozitare kanë kërkuar procedurë të menjëhershme, por Ohana ka thënë se praktika parlamentare parashikon zgjedhjen e kryetarit të ri në ditën e inaugurimit të kabinetit.
Nga ana e tij, Assaf Shapira shpjegon se ligji e konsideron fillimin e punës së parlamentit të ri si momentin e duhur për zgjedhjen e kryetarit.
“Nuk kemi kohë, duhet të veprojmë urgjentisht”
deklaroi javën e kaluar Naftali Bennett, një ndër figurat kryesore të krahut të Gadi Eisenkot, duke kërkuar marrjen e kontrollit të Knessetit sa më parë.
Kështu, para lindjes së qeverisë së re, parlamenti izraelit bëhet skena e parë e përballjes ndërmjet shumicës së re dhe Benjamin Netanyahut.