Një 17-vjeçar, i ndëshkuar me një gjobë prej 5 milionë lekësh për pjesëmarrjen e tij në protestat që vijojnë prej 163 ditësh kundër qeverisë, jeton në kushte të rënda sociale së bashku me familjen e tij, ndërsa historia e tij është bërë publike përmes mediave nga gazetari Osman Stafa në News24.
Erindi ndan një banesë në varfëri ekstreme me të atin, motrën dhe vëllain, teksa familja përballet me mungesë të çdo lloj mbështetjeje institucionale, energji elektrike të ndërprerë prej muajsh dhe mungesën e nënës që është ndarë nga jeta. I riu tregoi për sfidat e përditshme dhe mungesën e ndihmës nga institucionet, duke theksuar se nuk do tërhiqet nga qëndrimi i tij.
“Kurani është gjithçka për mua. Shkoj në xhami. Kam mësuar vetë të shkoj. Nuk më ka mësuar njeri. Lutem për të pasur një të ardhme më të mirë, shtëpi të mirë, të jetoj si gjithë të tjerët. Asnjë ndihmë nga shteti. Vetëm gënjeshtra. Kanë ardhur do jua bëjmë shtëpinë. Kanë ardhur punonjës të bashkisë. Na i kanë prerë dritat më parë, para 4 vjetësh. I prenë, babai i lidhi, ditën tjetër i prenë prapë dhe vunë gjobë 400 mijë lekë. Dritat kemi 10 muaj pa i paguar. Nëna më mungon shumë. Çdo gjë do ishte më ndryshe. Do isha më i lumtur sot. E kujtoj si gjithçka. Ajo është gjithçka për mua, pavarësisht se nuk jeton më. Do jetë gjithçka për mua derisa të vdes. U gjobita prapë dje, 50 mijë lek. Se ke qenë me protestuesit. Dhashë intervistën dhe u gjobita me 50 mijë lek. Nuk më frikëson. Normal që do jem deri në fund”, u shpreh ai.
Përveç vështirësive ekonomike dhe humbjes së nënës nga sëmundja e kancerit, familja përballet edhe me trajtimin e pakët financiar për motrën e tij nga skema e kempit, ndërkohë që i riu shpreh vendosmërinë për të vazhduar protestat për një të ardhme më të mirë në vend.