Avokati Ermal Hamataj ka analizuar zhvendosjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit, duke ngritur pikëpyetje mbi vendimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Sipas Hamatajt, duke qenë se Veliaj drejton Bashkinë e Tiranës dhe po përballet me një proces gjyqësor në SPAK, autoritetet duhet të kishin marrë parasysh afërsinë me kryeqytetin, sidomos kur seancat zhvillohen çdo shtatë ditë.
“Veliaj është kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe, që këtu, Drejtoria e Burgjeve duhet të siguronte që ai të qëndronte sa më afër Tiranës. E dyta, kemi të bëjmë me një person që po hetohet nga SPAK-u. Gjykata që e ka marrë të pandehur i zhvillon seancat çdo shtatë ditë. Pse duhej të futej shteti në një situatë të tillë, që çdo shtatë ditë ta transferonte nga Fieri në Tiranë? Çfarë arsyeje kishte?”, u shpreh Hamataj.
Ai shtoi se Veliaj ishte mësuar së tepërmi me kushtet në Durrës dhe se vizitat e zyrtarëve të lartë nuk përbëjnë ndonjë risi, duke përmendur se edhe ministra apo eksponentë të tjerë të Partisë Socialiste kanë takuar persona të dënuar atje, madje duke i nxjerrë jashtë regjimit të caktuar.
“Unë mendoj se Veliaj në burgun e Durrësit ishte familjarizuar jashtë mase. Ai nuk pyeste për drejtorin e burgut. Mendoj se Veliaj ishte në konvikt atje në Durrës. Nuk është i vetmi Toni Gogu që ka shkuar në burgun e Fierit. Ka pasur vizita të tilla edhe në burgun e Durrësit, me eksponentë të tjerë të PS-së që kanë bërë burgun atje. Ka pasur ministra që kanë shkuar për takime. Madje, i kanë nxjerrë edhe jashtë, nëse doni ta dini. Nuk mund t’i tregoj emrat. Janë nxjerrë jashtë objektit të regjimit”, deklaroi avokati.
Hamataj e cilësoi lëvizjen si një veprim me prapavijë politike dhe ngriti dyshimet se situata mund të shfrytëzohet nga mbrojtja e kryebashkiakut në gjykatat ndërkombëtare, përfshirë Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ndërsa vizitën e ministrit Toni Gogu e lidhi me një përpjekje për presion në emër të kryeministrit.
“Shkeljet në rastin e Veliajt janë thjesht një tekë e Ramës, nuk ka sekret aty. Po sikur e gjitha kjo të jetë stisur për t’i ardhur në ndihmë Veliajt? Ai po trajtohet si i burgosur politik. Shkon ministri për presion në emër të kryeministrit. Për më pak se kaq, shtetas të tjerë kanë fituar azil politik jashtë Shqipërisë”, u shpreh Hamataj.
Në fund, ai diskutoi mundësinë e një ndryshimi të masës së sigurisë pas qëndrimit të Veliajt në spitalin e Fierit dhe pyeti për motivet e vizitës së ministrit Gogu, duke theksuar se nuk është ndërmarrë asnjë masë ndaj drejtorit të institucionit.
“E mendoni se Toni Gogu është aq i paaftë sa të shkojë në orën 22:30 të natës te Veliaj dhe ky i fundit t’i bënte këtë gjëmë? Pra, ai po kryente një akt që mund të përdoret nga Veliaj. Kjo do të përdoret në gjyqet jashtë Shqipërisë, në Strasburg. Asnjë masë nuk është marrë ndaj drejtorit të burgut apo ndonjë zyrtari tjetër”, përfundoi avokati.